Secondary Adv

Ndërtimi i rrugëve po gërryen lumenjtë: 9 leje aktive për inerte, 6 prej tyre për Korridorin VIII

Ndërtimi i akseve të reja rrugore në Shqipëri po shoqërohet me shfrytëzim intensiv të lumenjve për materiale inerte.

Të dhënat e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore tregojnë se aktualisht janë aktive 9 leje për marrjen e inerteve nga lumenjtë, nga të cilat 6 lidhen drejtpërdrejt me ndërtimin e Korridorit VIII, në segmentin nga Rrogozhina deri në Qafë Thanë.

 

Vetëm nga lumi Shkumbin, deri më 28 shkurt janë marrë rreth 996 mijë metër kub inerte. Sipas kontratave të dhëna për kompanitë që po ndërtojnë lotet e Korridorit VIII, deri në përfundim të projekteve mund të merren gjithsej 1.34 milion metër kub zhavorr nga ky lum.

 

Lejet në basenin e Shkumbinit

Përveç Shkumbinit, dy leje të tjera janë dhënë në basenin e tij, për shfrytëzimin e inerteve në lumin Gostimë dhe në përroin Papërr, të lidhura me zgjerimin e aksit Elbasan–Qafë Thanë dhe ndërtimin e segmentit Elbasan–Papër. Deri në vitin 2028, nga këto dy burime mund të merren rreth 618 mijë metër kub zhavorr për projektet infrastrukturore.

 

Shfrytëzim edhe në lumenj të tjerë

Gërryerja e lumenjve nuk kufizohet vetëm në Shkumbin. Një leje është dhënë edhe në basenin e Vjosës për marrjen e 60 mijë metër kub inerte në lumin Dukat, në kuadër të projektit për rikualifikimin e vijës bregdetare Vlorë–Radhimë–Orikum. Një tjetër leje është në basenin e Matit, në lumin Fan, ku për ndërtimin e autostradës Milot–Morinë mund të merren deri në 603 mijë metër kub inerte gjatë periudhës së koncesionit.

 

Po ashtu është dhënë një leje për marrjen e 60 mijë metër kub inerte nga përroi i Hurdhës për zgjerimin e superstradës Tiranë–Durrës. Në total, 7 kompani që disponojnë këto leje mund të shfrytëzojnë deri në 2.68 milion metër kub inerte nga tre basene ujore në vend.

 

Monitorimi dhe shqetësimet mjedisore

Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, subjektet që disponojnë leje monitorohen vazhdimisht dhe deri më tani nuk janë evidentuar shkelje të kushteve të lejeve.

 

Megjithatë, ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se gërryerja e zhavorrit ka ndryshuar shtratin e disa lumenjve, veçanërisht të Shkumbinit, dhe ndërhyrjet e pakontrolluara mund të krijojnë pasoja të mëdha për ekosistemin dhe sigurinë infrastrukturore.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat